Pogba: Jam unë e ardhmja e Juventusit



Mesfushori francez ka qenë lojtari më i mirë në fushë për bardhezinjtë kundër Bolonjës, duke realizuar golin e fitores në minutat e fundit të ndeshjes: “Kam ardhur te Juvja për të fituar dhe shënuar”
Problemi nuk është të aktivizohet më shpesh. Problemi tani është të lihet në stol. Pol Pogba është një lojtar i madh, ndoshta më shumë, por këtë do ta
zbulojmë me qetësi në dhjetëvjeçarin e ardhshëm ku francezi do të luajë shumë ndeshje të rëndësishme. Sepse një lojtar i tillë, një futbollist me atë vizion, me atë teknikë (luan me të dy këmbët: një gjë e rrallë), një lojtar me atë personalitet, me atë lojë argëtuese, me atë shpejtësi është i destinuar të ketë një karrierë të shkëlqyer.
Vendimtar Të mërkurën në mbrëmje në minutën e 91-të Pogba ka qenë thjesht më i miri në fushën e lojës në një sfidë që Bolonja kishte arritur ta barazonte falë gabimit të De Çeljes dhe një goditjeje të saktë të Taider. Një skuadër që luan, por nuk e mbyll ndeshjen, një tjetër që mbrohet dhe me të vetmen gjuajtje në portë kërkon të marrë një pikë. Është normale, nuk ka asnjë skandal këtu. Madje, mund të kishte qenë një rezultat i pranueshëm.
Sepse në kohën shtesë, pasi ka goditur një shtyllë, pasi ka shpikur golin e 1-0 të realizuar nga Kualjarela dhe pasi ka bërë gjithmonë gjënë e duhur në momentin e duhur duke u bërë pothuajse i mërzitshëm në perfeksionin e tij, Pogba ka vendosur se nuk i mjaftonte të ishte lojtari më i mirë në fushën e lojës. Donte të vendoste ndeshjen, donte të gëzonte. Dhe me kokë ka çuar në rrjetë topin e krosuar nga Xhovinko.
Fjalët Në përfundim të ndeshjes dhe pasi ka marrë komplimentet e merituara nga të gjithë, Pogba ka shprehur gëzimin e tij: “Duhet të përmirësohem akoma, duhet të rritem dhe Konte ma kujton gjithmonë këtë: më mungon eksperienca dhe do ta fitoj me Juven nën drejtimin e tij. Tani nuk mendoj për ndeshjen me Interin. Për momentin dua të shijoj këtë fitore që kemi marrë kundër Bolonjës”. Dhe më tej: “Nuk jam i befasuar, por i lumtur dhe krenar: kam ardhur këtu për të luajtur.
Platini dhe Zidan kanë shkruar historinë e Juves, unë dua të jem e ardhmja. Në Mançester jam rritur, por jam i lumtur që kam ardhur te Juventusi: kam zgjedhur bardhezinjtë, nuk e kam pranuar kontratën që më ka ofruar Ferguson. E di se më kanë kërkuar edhe Milani me Interin, por mua më pëlqen Juvja dhe kam ardhur këtu për të fituar dhe, nëse është e mundur, të shënoj gola. Më plëqen të shënoj, edhe te Junajtid e kërkoja shpesh portën”.
Po me Interin? Ku i dihet nëse Ferguson nuk po mallkon veten që nuk e ka mbajtur në Mançester: ka shumë mundësi që po. Ku i dihet nëse Didië Deshamp, trajneri i Francës, do të grumbullojë për herën e parë në kombëtare pas pak ditësh: ka shumë mundësi që po.
Dhe ku i dihet nëse Konte do ta lërë në stol në sfidën e madhe që do të zhvillohet nesër kundër Interit: ka shumë mundësi që po, gjithmonë nëse Markizio do të rikuperojë nga dëmtimi në nyjën e këmbës. Hierarkitë janë të qarta, Vidal dhe “Princi i vogël” nuk kanë gabuar asnjëherë në ndeshjet e mëdha dhe meritojnë besim. Por, sot është e vështirë të lihet në stol Pogba: lojtar i madh, gati për sfida të mëdha.